nje poezi e vasko pashes:
O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n'hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t'mira e begati,
Me varza t'bukura e me djelm t'ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n'luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s'i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t'rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t'bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t'ambël askush s'ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s'të ka mbetun as em'n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t'zezë.
Shqyptar', me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:"jam turk", tjetri:"latin"
Do thonë: "Jam grek", "shkje"-disa tjerë,
Por jemi vllazën t'gjith more t'mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t'fitoni,
Besën e t'parëve t'gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t'huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n'dhe!
E s'i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M'ata sy t'bukur q'dini me qa,
Eni t'vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet' e shkretë pa em'n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s'pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m'e e lan' me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s'e do
Këtë faqe t'zezë gjithkush e dro!
Para se t'hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n'dorë le t'desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap'edhe rrezë,
Asht tok' e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t'tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.
ç'pret?
fjalorishti është një platformë ku mund të ndashë mendimet dhe ndjenjat me liri të plotë, është burimi i diturive të lira.
a do që edhe ti të bëhesh pjesë e këtij thesari fantastik?